I dërguari special dhe koordinatori për Qendrën Globale të Angazhimit James P. Rubin do të vizitojë për 4 ditë Shqipërinë Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Departamenti i Shtetit njofton se ai do të udhëtojë nga data 10-14 prill në Podgoricë, Shkup, dhe Tiranë.
“Në Podgoricë dhe Shkup, i dërguari i posaçëm Rubin do të takohet me zyrtarë qeveritarë për të forcuar mbështetjen për nismat kundër dezinformimit. Ai do të diskutojë përpjekjet e Rusisë, Republikës Popullore të Kinës dhe aktorëve të tjerë keqdashës që përdorin dezinformata për të minuar demokracinë dhe sigurinë kombëtare në mbarë globin, dhe se si kombet tona mund t’i kundërshtojnë së bashku kërcënimet në hapësirën e informacionit”, thuhet në deklaratë.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, i dërguari i posaçëm do të marrë pjesë në takime me ambasadorët amerikanë nga Ballkani Perëndimor.