Imzot George Frendo ka falënderuar Zotin dhe ata që e ndihmuan atë në këtë ‘mision’, në fjalimin e tij pas dorëheqjes nga kujdesi baritor i Kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës (Shqipëri).
Frendo thotë se kishte ardhur koha që ai t’i linte vendin një bariu shumë më të ri, teksa kujton dy momente që ‘luftoi’ me vdekjen, ‘betejën’ me COVID para një viti dhe shtrimin në spital para 5 javësh pasi pati një iktus.
Në vend të tij Papa Françesku emëroi Arqipeshkv të Tiranës dhe Durrësit Arjan Dodaj, për të cilin Frendo shprehet se ka fituar të gjithë eksperiencën e nevojshme për të kryer me sukses këtë mision, gjatë 4 viteve që ka shërbyer si ndihmës i tij. Për Shqipërinë dhe shqiptarët, Frendo thotë se do të mbeten gjithmonë në qendrën e zemrës së tij.
Fjalimi i plotë:
Në të kaluarën, kur përurohej një Papë i ri, në ceremoninë e rastit, ndërsa digjej një fije liri, këndohej për tri herë një antifonë në latinisht: Sic transit gloria mundi, që do të thotë “Kështu kalon lavdia e botës”. Për fat të mirë, sot nuk këndohet më. Çdo pozitë në hierarkinë e Kishës nuk është aspak rast lavdie, përkundrazi, është rast shërbimi.
Më 3 dhjetor do të përkujtoj përvjetorin e pestë të përurimit tim si Arqipeshkvi i kësaj arqidioqeze. Dua ta falënderoj Zotin i cili për këtë mision më ka zgjedhur mua, me të gjitha mangësitë, dobësitë dhe paaftësitë e mia. Jam përpjekur t’i shërbej Kishës në këtë arqidioqezë, t’u jem afër meshtarëve, motrave, dhe të varfërve. Por tani erdhi koha të këndoj atë këngë shumë të bukur të Andrea Bocelli-t: Time to say goodbye. Dhe është koha të kërkoj sinqerisht falje prej Zotit dhe prej atyre që i kam fyer ndoshta pa dashje, të kërkoj falje prej Zotit dhe prej jush kur nuk ju kam dhënë shembullin e duhur si i krishterë dhe si bari.
Dhe tani presim ditën kur kjo arqidioqezë do t’i besohet Monsinjor Arjan Dodajt, i cili për katër vjet ka qenë, dhe ende është, për pak kohë, Ipeshkvi im Ndihmës. Kam shumë besim se do ta drejtojë dioqezën me shumë angazhim, dashuri, përvujtëri dhe, mbi gjithçka, me shumë besim dhe lutje. Gjatë këtyre katër viteve si ndihmësi im ka qenë shumë besnik ndaj meje, sigurisht se në këto katër vite si Ipeshkëv Ndihmës ka fituar shumë eksperiencë. Ka njohur shumë mirë dioqezën, dhe ka dhënë shembull shumë të mirë si bari shumë i zellshëm në lutje, shumë i devotshëm ndaj Zojës Mari, dhe shumë i kushtuar ndaj punës baritore. Ju nxis të luteni për të, sepse misioni i ipeshkvit nuk është i lehtë.
Para një viti kam qenë me Covid. U infektova më 1 nëntor, por pas dy javësh gjendja ime u përkeqësua goxha. Kolegët e mi më kanë dërguar në Itali (edhe pse unë isha kundër). Atje kam qëndruar për pesë javë, që më dukeshin si një amshim. Por gjatë atyre javëve vura re sa shumë isha lidhur me dashuri me popullin tim, i cili priste me shpresë kthimin tim. Por Zoti më tha: “Ende nuk kam vend për ty!” Para pesë javësh më kanë dërguar me urgjencë në spital, pasi pata një iktus. Kam qëndruar vetëm tri ditë në spital, sepse Zoti përsëri më tha: “Ende nuk kam vend për ty”. Por tani erdhi koha të lë vend për një tjetër, për një bari që është shumë më i ri, dhe është shqiptar, prandaj më familjar me historinë dhe kulturën e popullit tonë. Megjithatë nuk duhet të harrojmë se Kisha Katolike në Shqipëri ende është një Kishë misionare. Duhet të ndihemi shumë mirënjohës ndaj misionarëve dhe misionareve. Nuk mund të vazhdojmë me projektet tona baritore pa praninë dhe angazhimin e tyre. Bashkë me meshtarët dhe rregulltarët e rregulltaret shqiptarë duhet të falënderoj edhe ata e ato misionarë. Kanë qenë ata dhe ato që e kanë bërë e mundshme që Kisha Katolike në Shqipëri të lindë dhe të forcohet.
Përurimi i Arqipeshkvit të ri do të kremtohet me një ceremoni të veçantë dhe shumë të bukur. Data për këtë ceremoni do të jetë e shtunë paradite, më 22 janar. Në takimin që do të kem me meshtarët dhe rregulltarët më 13 dhjetor do t’ju jap më shumë detaje.
Pas shumë reflektimi dhe lutjeje, kam vendosur që pak ditë pas përurimit të Arqipeshkvit të ri të kthehem në vendlindjen time. Sinqerisht ju them se nuk do të jetë e lehtë për mua të largohem nga një vend që e kam dashur aq shumë, nga një popull që e kam dashur pa masë dhe që më ka dashur dhe respektuar më shumë sesa meritoja. Por Shqipëria dhe shqiptarët do të mbeten gjithmonë në qendrën e zemrës sime. Shumë faleminderit dhe ju premtoj lutjet e mia.