Rreth 10 persona u zhduken sot nga një ortek në rajonin Voralberg të Austrisë perëndimore, tha policia lokale.
“Një person u shpëtua dhe operacioni për gjetjen e të tjerëve vazhdon”, tha një zëdhënës i autoriteteve lokale për AFP.
Helikopterët dhe disa ekipe shpëtimi, me ndihmën e qenve të trajnuar posaçërisht, janë përfshirë në operacionin e kërkim-shpëtimit. Sipas agjencisë austriake APA, rreth 100 persona marrin pjesë në operacion.
“Ne po bëjmë gjithçka për të shpëtuar adhuruesit e sporteve dimërore”, tha komuna e Lech.
Orteku u shkaktua në një lartësi prej 2700 metrash, në zonën e lirë të skive Lech-Chirch .
Nuk ka të dhëna për detajet e personave të zhdukur.
Shërbimet e shpëtimit kishin paralajmëruar tashmë këtë fundjavë se ekzistonte një rrezik i lartë i ortekëve në këtë zonë dhe vendet afër.