Shtëpia e Bardhë dënoi humbjen e jetës të dhjetëra civilëve si rezultat i një sulmi ajror izraelit në Rafah, por tha se nuk planifikon ndryshim të politikës si rezultat i veprimeve të Izraelit. Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, u tha gazetarëve më 28 Maj se Izraeli nuk ka shkelur “vijën e kuqe” të presidentit Joe Biden, për ndalimin e armëve sulmuese në të ardhmen, sepse sipas SHBA-së, nuk do të nisë një pushtim tokësor në shkallë të plotë në qytetin jugor të Gazës.
Biden ka deklaruar më herët gjatë muajit se do të kufizonte furnizimet me armë për Izraelin, nëse ushtria e këtij shteti do të hynte në qendrat e banuara të Rafahut. “Gjithçka që mund të shohim na tregon se ata nuk po lëvizin drejt një operacioni të madh tokësor në qendrat e banuara në qendër të Rafahut”, tha Kirby. Nga sulmi izraelit i së dielës, shumica e të vrarëve ishin duke u strehuar në tenda.
Biden dhe këshilltarët e tij të lartë vazhdimisht kanë paralajmëruar izraelitët që të mos kryejnë operacione në shkallë të gjerë në Rafah, pa një plan për të ofruar siguri për civilët e pafajshëm. Megjithatë, administrata Biden e bëri të qartë se nuk do të kufizojë – të paktën jo menjëherë – mbështetjen për Izraelin për shkak të sulmit. Udhëheqësit e tjerë botërorë kanë dënuar ashpër sulmin në Rafah.
Incidenti në këtë qytet në jug të Gazës ndodhi vetëm dy ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Izraelin që t’i japë fund ofensivës së tij ushtarake në Rafah, ku më shumë se gjysma e popullsisë prej 2. 3 milionë banorësh e Gazës është strehuar për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të enklavës. Dhjetëra mijëra persona vazhdojnë të jenë në Rafah, përderisa shumë të tjerë janë larguar./REL