Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço ka reaguar sot pas deklaratës së përbashkët të 5 Dhomave më të mëdha të biznesit të huaj në Shqipëri.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Enio Jaço shprehet:
“Për katër vite me radhë, Dhoma Amerikane dhe dhomat e tjera të huaja në Shqipëri kanë ngritur zërin për Klimën e Biznesit, duke ofruar një seri rekomandimesh me vlerë që mund të reformonin njëherë e përgjithmonë ambientin e të bërë biznes. Megjithëse qeveria ka treguar gatishmëri për të bashkëpunuar, kjo gatishmëri nuk është përkthyer në përpjekje reale për ndryshim. Për nga intensititeti dhe rëndësia, deklarata e përbashkët e Dhomave të Tregtisë Amerikane, Gjermane, Italiane, Franceze dhe Konfindustria përfaqëson: Së pari, deklarata reflekton shqetësimin e kompanive, investitorëve dhe bizneseve që operojnë në Shqipëri. Ky shqetësim ngrihet mbi mungesën e progresit ndër vite në përmirësimin e klimës së biznesit. Më konkretisht, ajo lidhet ngushtë me mungesën e progresit në tërheqjen e investimeve të huaja, luftën kundër korrupsionit, sigurimin e transparencës në tenderat publik, konsultimin publik dhe ndryshimet e shpeshta të kodit të taksave, të shoqëruara me mungesë besimi dhe stabilitet ekonomik.
Së dyti, situata për bizneset po bëhet kritike – aq sa për herë të parë, Dhomat kryesore të huaja të Tregtisë janë bashkuar në një qëndrim të përbashkët pa asnjë hezitim. Ajo që na bashkon është motivi për të prodhuar më të mirën që Shqipëria mund t’u ofrojë investitorëve, bizneseve, punonjësve dhe qytetarëve. Gjithashtu, ky qëndrim është në përputhje me shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë të rëndësishëm Europianë dhe Transatlantikë.
Falënderoj komunitetin e jashtëzakonshëm të dhomave të biznesit Evropiane dhe Amerikane për vitalitetin e tyre në unifikimin e qëndrimeve dhe gatishmërinë për të ndihmuar administratën publike me asistencë teknike. Shpresoj që këto rekomandime te kthehen se fundmi ne realitet. Do të ishte lajm i mirë për progresin drejt BE, një ekonomi në rritje dhe një cilësi më të mirë jetese për të gjithë shqiptarët!