Avokati mbrojtës i 28-vjeçares e cila u dhunuar barbarisht dhe u mbajt peng për 1 javë në një banesë në Tiranë ka folur për mediat.
Enea Cenko ka kërkuar që të shtohen dy vepra penale për autorin. Ai tregon se agresori dhe viktima u njohën në Gjermani, ku vajza punonte si infermiere dhe u thirr për të përkthyer kur 31-vjecari kërkoi shërbim mjekësor.
Enea Cenko: “Është mbajtur me dhunë nga ky shtetas që është ndaluar nga komisariati numër 2 i Tiranës, vajza është tentuar që të vritet nga ky shtetas. Unë kërkoj ndryshimin e akuzës për këtë shtetas. Në bazë të informacioneve që unë kam, vajza është kërcënuar vazhdimisht, vajza është shtetase gjermane, është njohur në spital me personin e arrestuar.
Ka qenë spitali gjerman që ka kërkuar ndihmë për të riun, që vajza ta përkthente. Policia e Shtetit ka reaguar në mënyrë të menjëhershme, por unë mendoj se kualifikimi i veprës penale ka mangësi ligjore, pasi do të duhet të ishte jo vetëm pengmarrje, por edhe tentativë vrasje. Të ribëhet kualifikimi i veprës penale, institucionet të marrin në dorë jetën e asaj vajze. Të merret në mbrojtje urgjente nga shteti shqiptar.”