Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka lidhur me rastin e paprecedentë të ndodhur ditën e djeshme në Memaliaj ku tezja dhunoi mësuesen në filloren.
Me anë të një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ Kushi është shprehur se është shumë e indinjuar dhe se dhuna nuk është zgjidhje në institucione arsimore. ajo garantoi se lidhur me rastin janë marrë masat e nevojshme.
REAGIM
Jam shumë e indinjuar nga rasti i dhunës së ushtruar mbi një mësuese në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Nimete Progonati” në Memaliaj.
Pavarësisht arsyeve që kanë shkaktuar këtë ngjarje, dhuna nuk është asnjëherë mënyra e duhur për zgjidhjen e konflikteve. Në institucionet tona arsimore funksionojnë të gjitha strukturat e nevojshme për menaxhimin dhe zgjidhjen e situatave problematike.
Edhe pse është një rast i izoluar, për të cilin u morën masa të menjëhershme që ditën e djeshme, unë shpreh solidaritetin dhe u bëj thirrje nxënësve, prindërve dhe gjithë shoqërisë që ta trajtojmë mësuesin me respektin dhe dinjitetin që meriton.
Ne nuk do të tolerojmë asnjë rast dhune, as ndaj nxënësve e as ndaj mësuesve, atyre që edukojnë me dashuri fëmijët tanë dhe përgatisin me përgjegjshmëri brezat e ardhshëm.
Dua të garantoj të gjithë prindërit që ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe do të marrim të gjitha masat që shkolla të jetë gjithmonë një mjedis i sigurt, i ngrohtë dhe i shëndetshëm për edukimin dhe mirëqenien e nxënësve tanë.