Kryeministri Edi Rama, ka komentuar incidentin e rëndë të ndodhur disa ditë më parë me ish-ministrin dhe profesorin e njohur shqiptar Petraq Milo, i cili u dhunua nga policët malazez në pikën kufitare.
Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Abazoviç, Rama shprehu falënderime për kryeministrin malazez për reagimin që patën si dhe për ndëshkimin e përgjegjësve.
Ai shtoi se këto raste përdoren edhe për të ndezur flakën e nacionalizmit dhe për të kërkuar që ndërpriten marrëdhëniet diplomatiket me fqinjin e radhës, ndaj është e nevojshme bashkëpunimi mes dy vendeve.
“E vetmja arsye që si ka ndodh edhe Dritanit ajo që ka ndodhur me profesorin Petraq Milon, është që njihet nga krifa e luanit dhe nuk e ngatërron njeri. Dua ta falënderoj për faktin që qysh në sekondën e parë të daljes së asaj videoje të shëmtuar, i ka telefonuar profesorit dhe i ka shprehur ndjesën, dhe janë marrë të gjitha masat me personat përgjegjës. Këto janë rastet që mezi presin për të ndezur flakën e nacionalizmit dhe për të kërkuar që ndërpriten marrëdhëniet diplomatiket me fqinjin e radhës. Kjo është arsyeja pse na duhet bashkëpunim pa kufij, jo se çdo popull si çdo pyll do shpëtojë nga derrat e vet ndonjëherë, por sepse sa më shumë hapësira do jetë e përbashkët, aq më pak derrat do mund të ndërhyjnë në marrëdhëniet e vendeve tona”, tha Rama.
Nga ana tjetër Abazoviç u shpreh: Më vjen shumë keq që ka ndodh ky incident, i kam kërkuar falje profesorit, janë arrestuar dhe autorët. Nuk kam qejf të politizohet kjo çështje, sepse ka të bëjë me një moment që ka qenë katastrofal, dhe e ftoj profesorin të vij. Mund të them se atë ditë kur ka ndodhur ai incident dhe sot, kalojnë mijëra qytetarë nga kufiri. Përgjegjësit do të dënohen, na vjen keq. Kam marrë informacione se ai nuk e ka prishur radhën, por është munduar të vendosë madje. Më vjen keq.
Më pas Rama i është përgjigjur edhe pyetjes së gazetares shqiptare, drejtuar Abazoviçit.
“Nuk dua të bëj polemikë por nga e nxirrni ju konkluzionin që shtetasit shqiptar janë shumë të shqetësuar. Unë nuk mendoj që është kështu dhe e përsëris që arsyeja kryesore për të cilën të gjithë duhet të ndjehen të qetë në këtë marrëdhënie, pasi vullneti i të dyja palëve është 100 % pozitiv dhe nuk ekziston ndonjë gjë që të thuash se ushqen këtë lloj sjelljeje dhe kur ndodhin ngjarje të tilla patjetër që bëjnë lajm, por nuk duhet shkuar përtej pasi këto janë raste tipike si kinse patriotet dhe nacionalistët dhe ata që jetojnë me pishmanin se nuk i është dhenë mundësia të bëhen heronj janë gati të ndezin zjarrin. Ndërkohë kryeministri i kishte bërë të gjitha gjërat që duhet të bënte, edhe kërkim faljen edhe për procedimin e personave përgjegjës, dhe e gjitha kjo është bërë me xhentilesë. Dhe në rast se pyetja pa dashje është kur do të pushkatohen ata që e bënë këtë punë në dijeninë time. Mali i Zi e ka hequr dënimin me vdekje. Jam i bindur që Dritani do të donte ta pushkatonte, por nuk e bën dot”, tha Rama.