Dhuna në PD, Basha: Policinë nuk e kam thirrur unë, është skenari i Ramës dhe Berishës!

Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi në emisionin “Pikat mbi i” në News24 se ka marrë mesazhe të shumta nga ndërkombëtarët gjatë zhvillimit të ngjarjeve të 8 janarit, por edhe para dhe pas. Basha akuzoi policinë se nuk reagoi në kohë, ashtu siç duhet të reagojë policia e Shtetit kur konstaton shkelje dhe se gënjeu kur tha se u hodh gaz nga selia e PD.

Basha tha se ndërkohë që selitë diplomatike shprehnin shqetësim, policisë iu desh kohë të reagonte.

“Mesazhe kam marrë pafund, mesazhet janë bërë dhe publike, një pjesë e tyre. Në qoftë se ju vazhdoni të besoni Ramën pas 8 viteve është problemi juaj. Kam marrë shumë mesazhe gjatë zhvillimit të ngjarjeve, por edhe para dhe pas 8 janarit.

Nuk ka nevojë të dish kodin penal, që policia e shtetit ekziston dhe paguhet nga taksat për të ndërhyrë kur konstaton shkelje të ligjit. Përveç kësaj, jo nga unë por deputetë ka pasur njoftime për dhunën sepse ka pasur njerëz të lënduar dhe brenda në sallë dhe nga dhuna dhe nga gazi. E gjitha është një alibi. E di ku tregohet alibia, ndërkohë që kishin dalë deklaratat e kancelarive, policia akoma mendonte të ndërhynte apo jo.

Jo të punonjësve të policisë dhe nuk e kam thirrur unë policinë, por të instrumentalizimit të policisë dhe prokurorisë sepse është e qartë që pjesë e skenarit të Ramës dhe Beirshës është vijimi i kësaj valleje. Mediat kanë 4 muaj që merren me këtë punë dhe kjo i leverdis Edi Ramës, trekëndëshit të Bermudës sepse kështu vazhdojnë vjedhjet. Pandemia bën kërdinë, ekonomia në kolaps. Luksi që ka Edi Rama është që ka pasur Sali Berishën i cili i premtoi se do bënte gjithçka deri në fund për të shkatërruar PD-në. U përpoq por nuk ia doli. PD është këtu dhe do ngrihet mbi rrënojat e 8 janarit.

Policia ka gënjyer prej momentit të parë kur tha është hedhur gaz. Këtu kanë qenë kamerat, kanë parë se ato janë bombola zjarrfikëse, pluhur i bardhë për të fikur zjarrin. Ndërkohë që selitë diplomatike shprehnin shqetësim për dhunën, policisë iu desh kohë për të reaguar. Prokuroria po përpiqet të ndajë fajin përgjysmë”, tha Basha.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *