Lojërat e fatit edhe pse janë të ndaluara me ligj, kjo nuk i ka penguar të fiksuarit pas tyre që të gjejnë rrugë alternative të paligjshme që ta ushtrojnë këtë veprimtari.
Policia e Tiranës në bashkëpunim me forcat e posaçme Shqiponja kanë arrestuar gjatë operacionit të koduar “Fati i Lojrave 2” në ‘Rrugën e Dibrës’ dy shtetas J. K., 30 vjeç dhe A. H., 33 vjeç.
Po ashtu janë arrestuar edhe disa shtetas për vepra të tjera penale.
Tiranë
Finalizohen nga DVP Tiranë 2 operacione policore për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe veprimtarinë e kundraligjshme të lojrave të fatit.
Bien në prangat e Policisë 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat” u organizua dhe u finalizua operacioni i koduar “Blloku” si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” i shtetasit M. D., 39 vjeç, si dhe u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vertetës” motra e tij shtetasja K. D., 61 vjeçe, pasi gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së motrës së tij, sherbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë narkotike kokainë, 3 peshore elektronike, një shumë të konsiderueshme parash dhe sende të tjera të kundraligjshme.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në kuadër të operacionit të koduar “Fati i Lojrave 2” bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve J. K., 30 vjeç dhe A. H., 33 vjeç, pasi në rrugën e Dibrës, u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojrave të fatit, në anë të aplikacioneve nëpërmjet celularëve.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 ,u bë ekzekutimi i urdhërit të prokurorit për shtetasin në kërkim E. M., 22 vjeç (i kapur nga Seksioni i kërkimit)pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest me burg”, për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. Gj., 52 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj djalit të tij.
Nga specialistët e Komisariatit të Policisë Vorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve F. V., 41 vjeç dhe E. T., 37 vjeç, pasi dyshohet se janë përfshirë në një konflikt me sende të forta.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
J. V., 27 vjeç dhe G. D., 31 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur;
O. D., 23 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.