Pas dhunës së ushtruar ndaj aktivistes së PD-së në Divjakë, një reagim i menjëhershëm ka ardhur nga presidenti Meta. Kreu i Shtetit, Ilir Meta, i ka bërë thirrje Prokurorisë dhe SPAK-ut të hetojë dhunën e ushtruar ndaj shtetases Elsa Bita në Divjakë.
Po kështu i është drejtuar Policisë së Shtetit që të arrestojë autorin apo autorët e dhunës. Elsa Bita ka thënë se është dhunuar nga shefi i Komisariatit të Divjakës, Altin Shehu, pasi ka filmuar një takim elektoral.
Statusi
I bëj thirrje Prokurorisë dhe SPAK të hetojë urgjentisht dhunën kriminale të ushtruar sot ndaj zonjës, Elsa Bita në Divjakë. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të arrestojë urgjentisht autorin apo autorët e dhunës, cilëtdo qofshin ata.
Çdo mosveprim, ju ngarkon me përgjegjësi të plotë për çdo akt dhune në vijim.
Nesër duhet të jetë Festa e Demokracisë të një vendi që e meriton anëtarësimin në Bashkimin Europian.