Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të premten aktakuzë në mungesë ndaj të pandehurit me shtetësi serbe, me inicialet G.P., për veprën penale të dhunimit të një burri shqiptar, gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“I pandehuri si pjesëtar i forcave rezervë policore të Serbisë, në bashkëkryerje me persona të tjerë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, me përdorimin e dhunës fizike dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj mashkullit të nacionalitetit shqiptar”.
Sipas Prokurorisë, me këtë veprim, i akuzuari e ka kryer veprën penale, “krime lufte kundër popullsisë civile”.
Prokuroria, po ashtu, ka thënë se gjyqi do të mbahet në mungesë, pasi nuk ka arritur të sigurojë praninë fizike të të akuzuarit në sallën e gjyqit.
Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur–pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. Ndërsa, numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, nuk dihet.
Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe njihet nga mbi 100 vende të botës. Serbia nuk e njeh pavarësinë e saj dhe në Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë atë si pjesë të territorit të saj.