Dhunuan arbitrin/ Procedohet penalisht presidenti i klubit dhe babai i tij

Gjyqtari Anxhi Lushi, i ndeshjes mes Gramshit dhe Valbonës, akordoi një penallti në favor të miqve, por u sulmua fizikisht nga presidenti i Gramshit, me iniciale A.B. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, policia bën me dije se ka proceduar penalisht shtetasit A. B., 24 vjeç dhe D. B., 58 vjeç, banues në Gramsh (babë e bir). I riu akuzohet për veprat penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”.

NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISË:

Komisariati i Policisë Gramsh, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, kishin marrë të gjitha masat për të garantuar rendin dhe sigurinë, para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve sportive Gramshi dhe Valbona, në stadiumin e qytetit të Gramshit.

Masat për sigurinë brenda stadiumit i kishte marrë Policia Bashkiake, ndërsa shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, sipas regullores, kishin marrë masat për sigurinë në perimetrin e jashtëm të stadiumit.

Në minutat e fundit të zhvillimit të lojës së futbollit, shtetasi A. B., 24 vjeç, president i klubit të futbollit të Gramshit, ka goditur me grusht shtetasin A. L., 25 vjeç, banues në Tiranë, arbitër i ndeshjes, dhe për këtë arsye është ndërprerë ndeshja.

Menjëherë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Elbasan, kanë ndërhyrë në stadium duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe duke shoqëruar shtetasin A. B., në ambientet e Komisariatit të Policisë Gramsh.

Në vijim të veprimeve, Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit A. B., 24 vjeç dhe D. B., 58 vjeç, banues në Gramsh (babë e bir);

A.B., me detyrë president i klubit të futbollit të Gramshit, për veprat penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”, pasi, në përfundim të ndeshjes së futbollit të zhvilluar në Gramsh, ndërmjet ekipeve Gramshi dhe Valbona, ka goditur me grusht shtetasin A. L., 25 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë arbitër i ndeshjes;

D.B., për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësve të Policisë”, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit të djalit të tij, shtetasit A. B.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *