Pesë persona janë arrestuar në Tiranë, pasi kanë dhunuar emigrantët dhe i kanë marrë atyre paratë.
Shtetasit me iniciale M., 21 vjeç, N. M., 21 vjeç, A. Th., 17 vjeç, E. Sh., 20 vjeçe, dhe E. B., 26 vjeçe akuzohen për veprat penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Sakaq, policia në ciklësinë e provës ka sekuetruar një shumë parash, 3 automjete, 1 pistoletë lodër metalike, 1 përforcues grushti, doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa dhe 9 aparate celulare.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “RENT A CAR”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gjirokastër, Komisariatin e Policisë Nr. 5 Kamzë dhe DVP Kukës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, falë punës intensive dhe profesionale, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “RENT A CAR”.
Si rezultat i operacionit u bë i mundur ndalimi i shtetasve të shpallur në kërkim: S. M., 21 vjeç, N. M., 21 vjeç, A. Th., 17 vjeç, E. Sh., 20 vjeçe, banues në Tiranë dhe E. B., 26 vjeçe, banuese në Tropojë.
Për këtë ngjarje, në datën 22.05.2022, është arrestuar njëri prej autorëve të dyshuar, shtetasi A. O.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datën 22.05.2022, kanë marrë 11 emigrantë të paligjshëm, në aksin rrugor Gjirokastër-Virua, me qëllim transportimin e tyre drejt Tiranës, kundrejt fitimit dhe në afërsi të fshatit Mashkullorë, u kanë vjedhur me dhunë një shumë parash, 11 aparate celulare dhe sende të tjera personale që emigrantët e paligjshëm i kishin me vete.
Në datën 24.05.2022, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Bardhocit”, Kukës, është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasve N. M. dhe A. Th., të cilët po transportonin 4 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, në drejtim të Kosovës. Ndjekja e tyre nga shërbimet e Policisë u publikua më datë 24 maj, në rrjetet sociale, në një video ku shfaqej makina e Policisë duke qarkulluar në sens të kundërt, në Rrugën e Kombit, sepse ishte në ndjekje të automjetit që transportonte emigrantët.
Shtetasit A. Th., gjatë kontrollit fizik i është gjetur një përforcues grushti (dorezë metalike), që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Kapja e shtetasit të shpallur në kërkim S. M. u bë në banesën e tij, në Kamzë, Tiranë, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë lodër metalike, 5 aparate celulare dhe një shumë parash.
Gjithashtu, shtetasja E. B. është kapur nga shërbimet e Policisë, në Kamzë, duke drejtuar automjetin tip “Hyunday”, në të cilin, gjatë kontrollit, u gjetën disa doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një shumë parash, 3 automjete, 1 përforcues grushti, 1 pistoletë lodër metalike, doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa dhe 9 aparate celulare.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.