Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Gëzim Bacajn dhe Durim Kelmendin, shtetas nga Kosova pasi morën pjesë në ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Llakatund. Ata së bashku me Haki Bajramin, i cili është në kërkim, dhunuan ish vjehrrën e këtij të fundit dhe nipin e saj, e më pas i dogjën shtëpinë.
Haki Bajrami kishte marrë shokët nga Kosova për të rrahur 70 vjeçaren Luftie Fanajn dhe nipin e saj 14 vjeçar duke i lënë pa ndjenja brenda banesës së tyre.Më pas i kanë vënë flakën banesës duke shkaktuar edhe shkrumbimin e një banese tjetër në afërsi të saj.
Ndaj Haki Bajramit dhe Gëzim Bacajt rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj një të mituri dhe kundër dy ose më shumë personave”, mbetur në tentativë dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, ndërsa Durim Kelmendi akuzohet për moskallëzim krimi.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur ka ndodhur mbrëmjen e 28 prillit, kur Haki Bajrami së bashku me Gëzim Bacajn kanë shkuar në shtëpinë e të moshuarës ku e kanë gjetur së bashku me nipin e saj. Konflikti e ka zanafillën në ndarjen e Haki Bajramit nga ish gruaja e tij, e ëma e 14 vjeçarit, e cila kishte ikur në Gjermani prej dy muajsh. Pas ngjarjes, i mituri ka shpjeguar sesi ish-njerku i tij e kishte dhunuar rëndë atë dhe gjyshen e tij brenda banesës dhe i kishin kërcënuar se do t’i digjnin të gjallë.