Diabeti konsiderohet nga të gjithë mjekët si armiku dhe shkatërrimtari i veshkave, por edhe i shumë organeve të tjera. Megjithatë, për shumë njerëz është e rëndësishme që të kuptojnë paradiabetin, i cili është një gjendje tranzitore nga ku trupi kalon plotësisht në sëmundjen e diabetit.
Para shfaqjes së kësaj sëmundje njerëzit zakonisht preken nga paradiabeti. Ky është një emër i ri i cili tregon se, niveli i sheqerit në gjak është pak mbi normalen, por gjithsesi jo në nivele shumë të mëdha.
Siç thamë më lart edhe pse paradiabeti është ndër fazat fillestare të krijimit të diabetit, mund të shkaktojë shumë probleme të tjera në trup.
Studimi
Sipas një studimi të “National Kidney Foundation”, njerëzit e prekur nga paradiabeti në shumicën e rasteve zhvillonin edhe sëmundje kronike të veshkave.
Në këtë studim më shumë se një e treta e personave, me probleme të sheqerit në gjak, patën shenja të prekjes nga sëmundjet e mëlçisë.
Dy nga shenjat kryesore që u dalluan, ishin niveli shumë i lartë i proteinurinës dhe mos funksionimi normal i filtrimit në veshka.
Shumë nga personat e prekur nga paradiabeti, u diagnostikuan me të paktën 3-4 faza të sëmundjes kronike të veshkave. Ndërsa fazat e përkeqësimit të një veshke para transplantit apo dializës janë vetëm 5.
Shumica e personave që vuajnë nga njëra nga dy sëmundjet, nuk kontrollohen asnjëherë për tjetrën. Pra shumica e personave që vuajnë nga veshkat, nuk kontrollohen thuajse asnjëherë për sëmundjen e diabetit.
Megjithëse ka një lidhje shumë të fortë mes paradiabetit dhe vetë sëmundjes së diabetit, në shkatërrimin e veshkave. Ekspertët thonë se, niveli i sheqerit në gjak dhe paaftësia e trupit për ta tretur, mund të sjellë probleme të hiperfiltrimit të veshkës.
Çfarë e shkakton paradiabetin
Shumë nga problemet që mbart paradiabeti, janë të ngjashme me ato të sëmundjes së veshkave.
Kjo mund të shkaktohet kryesisht nga simptomat e mëposhtme:
Presion i lartë gjaku
Nivel i lartë i kolesterolit
Sëmundjet kardiovaskulare
Mbipesha
Në shfaqjen e kësaj sëmundje mund të ndikojnë edhe histori të mëparshme të diabetit në familje apo diabeti nga shtatzënia.
Nëse vuani nga këto sëmundje apo simptoma, ju këshillon të bëni patjetër një vizitë tek mjeku për të matur nivelin e sheqerit në gjak.
Sa persona janë të prekur
Organizata Botërore e Shëndetësisë, e ka cilësuar diabetin si, sëmundjen e shekullit pasi prek rreth 5% të popullsisë së globit.
Numri i diabetikëve edhe në Shqipëri është rritur që nga viti 2005, me shifra të frikshme. Sot në vendin tonë numërohen rreth 72 mijë persona të prekur nga kjo sëmundje.
Mjekët thonë se, ka rreth 3000 raste të reja çdo vit dhe rreth 50% e të sëmurëve, nuk e dinë se vuajnë nga kjo sëmundje. Kështu edhe zbulimi i paradiabetit bëhet gjithnjë e më i vështirë dhe i vonuar.
Si diagnostikohet paradiabeti
Mënyra më e mirë dhe e diagnostikimit është konsultimi me mjekun dhe analizat në spital. Ka tre teste të ndryshme të cilët mjekët i përdorin, për të zbuluar nëse keni ose jo paradiabet.
Së pari mund të përdoret testi i matjes së hemoglobinës në trup, për tre muajt e fundit. Një tjetër metodë është ajo e diagnostikimit me anë të matjes së nivelit të glukozës në gjak, apo testet orale.
Janë si testet periodike të diabetit të cilat duhet t’i kryeni në spital. Nëse diagnostikoheni me paradiabet, ndiqni me kujdes këshillat e mjekut dhe mundohuni të kufizoni ushqimin e dëmshëm.
/Burimi: AgroWeb.org/