Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është nisur drejt Brukselit ku do të takohet nesër me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Kurtin e shoqëron zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu. Mediat e Kosovës shkruajnë se sipas Kryeziut, në këtë takim mes Kurtit e Vuçiç nuk do të bisedohet në lidhje me avancimin e dialogut por për axhendën e tij.
“Siç kemi thënë në vazhdimësi, takimi i nesërm nuk është takim i dialogut, por takim për dialogun, për dialogun e ardhshëm. Aty kryeministri Kurti do të paraqesë vizionin dhe qëndrimet tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për të, e i cili duhet të jetë parimor dhe i drejtë, në shërbim të popujve të dy vendeve dhe i shkëputur nga ai i kaluari. Pra nga takimi synohet dakordim rreth kapitullit të ardhshëm të dialogut dhe agjendës së tij, pas diskutimeve shterruese të ditës së premte në Kuvendin e Republikës së Kosovës për dialogun e mëparshëm dhe dëmet e shkaktuar nga ai,”– është shprehur Kryeziu.
Bisedimet në Bruksel që do të zhvillohen me 15 qershor ku në dialog do te jenë të pranishëm Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti si edhe përfaqësues të tjerë të dy vendeve. Takimi është planifikuar të fillojë rreth orës 8:30 të mëngjesit dhe pritet që të përfundojë në orën 12:30.