Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një takim me raportuesen për Kosovën në PE, Viola von Cramon-Taubadel. Çështja kryesore që u diskutua, ishte dialogu me Serbinë. Osmani tha që bisedimet duhet të përmbyllen me njohje reciproke.
Por presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e ka bërë të qartë që nuk ka për ta njohur kurrë pavarësinë e Kosovës, por edhe Kurti me Osmanin duken të palëkundur në qëndrimet e tyre.
Gjithsesi në korrik do të mbahet takimi i ardhshëm Kurti-Vuçiç, me shpresë së ky i fundit do të jetë me tone te zbutura.
NJOFTIMI NGA PRESIDENCA E KOSOVËS
Presidentja Osmani priti në takim raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon – Taubadel
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim një delegacion të Parlamentit Evropian të udhëhequr nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, znj. Viola von Cramon-Taubadel.
Në takim theks i veçantë është vënë në perspektivën Evropiane të Republikës së Kosovës, mbështetjen e ofruar nga Bashkimi Evropian për vendin tonë ndër vite, si dhe për nevojën për përmbyllje të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për qëndrimin pozitiv të Parlamentit Evropian për sa i përket liberalizimit të vizave, derisa theksoi që ka shumë potencial për të intensifikuar bashkëpunimin dhe mbështetjen e institucioneve të BE-së karshi Kosovës.
Sipas saj, institucionet e reja në vend janë të gatshme për të udhëhequr reformën, si në fushën e sundimit të ligjit, krijimin e vendeve të reja të punës, investimin në bujqësi dhe avancimin e Agjendës së Gjelbër. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka bërë thirrje për prezencë dhe ndihmë të shtuar nga ana e BE-së për të siguruar mbarëvajtjen dhe qëndrueshmërinë e këtyre proceseve.
Në takim u fol edhe për dialogun me Serbinë, me ç‘rast Presidentja Osmani theksoi se ky proces duhet të përmbyllet me njohje nga ana e saj dhe se marrëveshjet e arritura duhet të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
/Priza.al/