Teksti përfundimtar i raportit për Serbinë, në formë rezolute, duhet të miratohet nesër në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, dhe kjo është hera e parë që zyrtarisht përmendet njohja e ndërsjellë e Serbisë dhe Kosovës në një dokument të BE si zgjidhje e nevojshme për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Krahas rezolutës për Serbinë, Parlamenti Evropian duhet të miratojë edhe rezolutën për Kosovën të mërkurën, më 6 korrik. Raportuesi për Serbinë, deputeti Vladimir Bilçik nga Partia Popullore Evropiane dhe raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, deputete e Partisë së Gjelbër, kanë paralajmëruar një konferencë të përbashkët për media në Strasburg.
Në mesin e qershorit, projekt-rezoluta për Serbinë u miratua nga Komisioni për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) me 55 vota pro dhe pesë kundër.
Një pjesë e fjalisë në projekt-rezolutën, e cila i bën thirrje Serbisë dhe Kosovës të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në njohjen reciproke, është shtuar përmes një amendamenti të paraqitur nga Lukas Mandl, anëtar i Partisë Popullore Evropiane.
Mandl është anëtar i Parlamentit Evropian që nga viti 2017 dhe është anëtar i Partisë Popullore Austriake, e cila deri vitin e kaluar drejtohej nga Sebastian Kurz, raportoi portali EWB.
Ky amendament u mbështet edhe nga deputetë të grupeve të tjera, duke përfshirë socialdemokratët dhe të gjelbërtit.