Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit qytetarët e Peshkopisë po i marrin drutë e zjarrit për dimrin me dyfishin e çmimit. Nëse vitin e kaluar një metër kub dru zjarri merrej me 3500 deri në 4 mijë lekë, këtë vit çmimi ka shkuar deri në 7500 lekë për metër kub.
Qytetarët e Peshkopisë shprehen se ata nuk lejohen nga policia dhe specialistët e pyjeve në Bashkinë Dibër t’i marrin privatisht, pasi i ka dhënë të drejtën një subjekti për tregtimin e druve të zjarrit. Vetë qytetarët shprehen se tek fusha e druve, një metër kub kushton deri në 75 mijë lekë të vjetra, duke e bërë çmimin të njëjtë me Tiranën.
Por ndryshe nga qytetarët, administrator i subjektit që ka të drejtën e tregtimit të druve të zjarrit, Sali Vrenezi, thotë se një metër sterë e tregton me 5300 lekë të rinj dhe jo sa thonë qytetarët, me 7500 lekë të rinj. Vrenezi tregon se lëndën drusore e siguron në Librazhd dhe transporti deri në Peshkopi kushton shumë.
Shumë bashki kanë krijuar ndërmarrjet e prodhimit të druve të zjarrit me të cilat furnizojnë institucionet shtetërore dhe qytetarët, por Bashkia Dibër ka zgjedhur që këtë t’ua japë të tretëve.
/Priza.al/