Dita Botërore e Biçikletës, e cila shënon që nga viti 2018 pas miratimit të një rezolute nga Kombet e Bashkuara, flet për avantazhet e përdorimit të biçikletës, si një mjet transporti i thjeshtë në jetën e përditshme i përballueshëm, i pastër dhe i përshtatshëm për mjedisin.
Përdorimi i më pak makinave për të shkuar në punë ndihmon në uljen e ndotjes së ajrit, në uljen e kostove dhe në rritjen e aktivitetit fizik.
Dita Botërore e Biçikletave festohet çdo vit më 3 qershor, ku vende të ndryshme në të gjithë botën sensibilizohen për të përdorur më shumë biçikleta dhe për të evituar mjetet e ndryshme të transportit që shkaktojnë ndotje të ajrit, trafik të rënduar dhe rrugë të mbipopulluara.
Në Shqipëri përdorimi i biçikletave është kthyer në një trend në rritje, dhe çdo ditë e më shumë rritet numri i atyre që përdorin këtë formë të transportit për më shumë shpejtësi dhe argëtim njëkohësisht.
Përveç qyteteve të cilat shquhen për përdorimin e biçikletave, kryeqyteti po bëhet gjithnjë e më tepër miqësor me këtë formë transporti, aq sa në më pak se 20 minuta mund të përshkosh Tiranën me lehtësi nga njëra anë në tjetrën.
Aktiviteti i rregullt fizik, të tilla si ecja, çiklizmi ose sportet tjera, sjellin përfitime të jashtëzakonshme për shëndetin, tek të gjitha moshat.
Kjo pasi disa aktivitete fizike të thjeshta janë më të mira se asnjë. Duke u bërë më aktiv gjatë gjithë ditës në mënyra relativisht të thjeshta, njerëzit mund të arrijnë me lehtësi nivelet e rekomanduara të aktivitetit.