Në ditën e dytë të bojkotit të pedagogëve, ministrja e Arsimit Evis Kushi dhe Kryeministri Edi Rama po zhvillojnë një takim me rektorët e universiteteve.
Gjatë fjalës së saj, Kushi tha se duhet që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë, duke shtuar se në vendimin e fundit që u mor, ishte rritja e pagave deri në 15 % ku 7% do të mbulohet nga shteti dhe 8% nga të ardhurat e vetë universitetit. Më tej ajo ka shtuar se kjo gjë rrit edhe përformancën në arsim.
“Tre vitet e kaluar a kanë qenë vite të vështira, por edhe ky vit është i vështirë, për shkak të luftën në Ukrainë, krizës globale, inflacionit, ku edhe Shqipëria është e prekur. Sa i takon sektorit të Arsimit ne duhet të jemi bashkë. Pavarësisht vështirësive duhet të shohim edhe politikat e reja. Ne arritëm të kemi mbështetje studentore si asnjëherë më parë. Studentët do të zgjedhin programet, ku edhe do të ketë përfitime për përjashtime nga tarifat. Sa i takon përmirësimit të infrastrukturës, do të ketë një kampus të UBT, po ashtu edhe në Universitetin e Mjekësisë do të ketë ndërhyrje. Në një kohë të shkurtër kemi numër të lartë programesh, edhe në nivele Bachelor, master. Ka rritje të nivelit të punës kërkimore shkencore, por duhet të punojmë më shumë për misionin e tretë të universiteteve që rezultatet t’i vënë në dispozicion të zhvillimit të vendit. Vendosëm të rrisim pagat deri në 15 %, dhe Universiteti 7% do ta mbulojnë me të ardhurat e tyre dhe ky vendim nxit rritjen e performancës”, deklaroi Kushi.
Kujtojmë se pedadogët kanë bojkotuar mësimin në ditën e parë dhe të dytë të vitit të ri akademik për shkak të mosplotësimit të kërkesave të tyre nga ana e qeverisë ku një ndër pikat kyç ishte rritja e pagave në 30%.
Kërkesat e pedagogëve:
- -Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës
- -Rritja e financimit për kërkimin shkencor
- -Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmëri shëndeti në punë’
- -Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë
- -Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare
- -Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosfierencimit të orës mësimore të leksionit.
- -Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
- -Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
- -Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.