Dita e Flamurit/ Nga Elbasani në Gjirokastër, ja si u festua sot 110-vjetori i Pavarësisë në vend

Festa e Flamurit është festuar ditën e sotme në disa qytete të vendit me aktivitete e festime që kanë pasur edhe pjesëmarrjen e qytetarëve, Ju sjellim më poshtë si janë zhvilluar festimet në qytetet e Elbasanit, Beratit e Gjirokastrës.

Elbasan

Në këtë ditë të shënuar aktiviteti u zhvillua në monumentin e Aqif Pashë Biçakçiut, i cili ishte një nga organizatorët e ngritjes së Flamurit në Elbasan dhe krahut të djathtë të Ismail Qemalit.
Homazhe kanë zhvilluar kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, prefektja e Elbasanit Majlinda Perriu, deputetët e Elbasanit Evis Kushi dhe Florenc Spaho, familjarë të patriotëve elbasanas, intelektualë, qytetarë etj.
Fjalën e rastit e mbajti prefektja Majlinda Peza, e cila ngriti lart vlerat e firmëtarëve të Pavarësisë. Ndërkohë që janë vendosur buqeta me lule dhe janë bërë nderime pranë monumentit.

Berat

Është përkujtuar ditën e sotme në memorialin e “Dëshmorëve të kombit” në Berat festa e 28 Nëntorit,një datë historike dhe mjaft e rëndësishme për mbarë kombin shqiptar. Pushtetarë vendorë, përfaqësues të partive politike dhe besimeve të ndryshme fetare, familjarë të firmëtarëve të aktit të Pavarësisë dhe qytetarë beratas ishin të pranishëm në këtë ceremoni.Gjithçka nisi nën tingujt e bandës frymore të qytetit,ndërsa më pas u kryen homazhe në Memorialin kushtuar Pavarësisë, në lagjen ”Dëshmorë e Kombit”.
Edhe në këtë ditë të shënuar,siç është Dita e Pavarësisë,politika në Berat u nda sërish.Përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe të partive të tjera opozitare i zhvilluan homazhet dhe nderimet në Lapidarin kushtuar Pavarësisë 30 minuta pasi kishin përfunduar homazhet pushtetarët vendor dhe më pas ata kanë kryer edhe homazhet në Varrezat e Dëshmorëve.

Gjirokastër

Në Gjirokastër u festua 110 vjetori i Pavarësisë përmes një ekspozite nga studiuesi Niko Kotherja të titulluar “Rreth flamurit të përbashkuar” ku u paraqitën në origjinalin e tyre dokumente historike, imazhe dhe botime të rralla e gjithashtu një rrugëtim portretesh të rilindasve dhe atdhetarëve gjirokastritë, përfshi edhe delegatet e Gjirokastrës si nënshkrues të aktit të Pavarësisë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *