Banorët e fshatit Lumas janë sot në ditën e tyre të gjashtë të grevës së urisë. Tre prej grevistëve janë në gjendje më të rëndë shëndetësore pasi kanë probleme me hipertensionin dhe aritminë.
Grevistët po i qëndrojnë fjalës së dhënë për ta çuar grevën e tyre deri në fund dhe për tu vetëflijuar nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre.
‘Do të vazhdojmë derisa të japim frymën e fundit’– shprehet një prej tyre.
Pas 3 muajsh proteste kundër ndërhyrjes në zonën e Sinecit, banorët e Lumasit kanë vendosur që të hyjnë në grevë urie. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura përmes një shkrese zyrtare pak ditë më parë urdhëronte Bashkinë e Kuçovës dhe firmën “Salillari” që të ndërpriste menjëherë punimet në Sinec pasi punimet cenojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, territorin e shpallur “Monument Natyror”.
Kjo gjë nuk e bëri firmën të ndërpriste punimet, gjë që ka sjellë dhe përplasje me banorët. Banorët duan pezullimin e projektit për ujësjellësin e fshatit Lumas; largimin nga detyra të drejtorit të Policisë Berat; pezullimin e Ardi Veliut; si edhe një takim me kryeministrin Rama.
/Priza.al/