Dita e Verës edhe pse është shumë e lashtë si festë, akoma vazhdon t’i ruajë disa tradita dhe rituale.
Një ndër këto është edhe vendosja e një lidhëseje dy ngjyrëshe në mars, e cila quhet verore.
Por çfarë është verorja dhe cili është kuptimi i saj?
Verorja është një lidhëse që thuret me një fije të bardhë dhe një fije të kuqe. Zakonisht vendoset në dorë në datën 1 mars dhe hiqet me 14 ose vendoset me 14 mars dhe hiqet kur shikon një dallëndyshe. Prejardhja e veroreve është nga Bullgaria. Për bullgarët ngjyrat e para të pranverës janë e bardha dhe e kuqja. Fijet e ndërthurura, të bardha e të kuqe, janë simboli i pranverës, i quajtur verore ose në bullgarisht “martenica”, sipas emrit të muajit të parë të pranverës “mart” (marsi). Sipas traditës verorja përgatitej nga gjyshja, e cila ua vendoste nipërve dhe mbesave duke u uruar shëndet dhe fat. Tani veç fijeve të bardha dhe të kuqë, verores i është shtuar dhe një rruazë bojë qielli që të mbron nga syri i keq.
Verorja tashmë është bërë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore nën kujdesin e UNESCO-s.
Vendimi për ta bërë pjesë në listën e trashëgimisë jomateriale të njerëzimit u mor në 6 dhjetorin e 2017-ës, në mbledhjen e Komitetit Ndërqeveritar për Shpëtimin e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale. Verorja u pranua në listën e përzgjedhur të trashëgimisë jomateriale UNESCO! Dosja u depozitua nga Rumania bashkë me tri shtete të tjera: Bullgaria, Maqedonia dhe Republika e Moldavisë në të cilat kjo traditë e pranverës ekziston me disa ndryshime në formë, por që ka të njëjtën frymë të festimit të rilindjes së natyrës.