Dita ndërkombëtare e mësuesit, Meta: Arsimtarët shqiptarë më të keqpaguarit në rajon

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit, ku thekson se arsimtarët shqiptarë janë më të keqpaguarit në rajon në krahasim me kolegët e tyre.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, Meta thotë se në 10 vitet e pushtetit të Kryeministrit Rama, ai nuk ka bërë asgjë për të ndryshuar gjendjen e rëndë në arsimin shqiptar. Duke iu referuar protestës së zhvilluar nga pedagogët ditën e sotme, Meta shton se kreu i qeverisë thellon arrogancën e tij, deri në mbylljen e shkollave dhe kopshteve.

“DITA NDËRKOMBËTARE E MËSUESIT i gjen sot arsimtarët shqiptarë më të keqpaguar se të gjithë kolegët e tyre në rajon dhe në kontinent. Të dhënat e përpiluara nga Komisioni Europian, të bëra po sot publike nga “Euronews” e renditin pagën e mësuesit shqiptar të fundit në Europë me rreth 4,233 euro në vit, shumë herë më pak se të ardhurat vjetore nga paga të një mësuesi në Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Serbi apo Malin e Zi ku mësuesit paguhen dy herë sa këtu.

Dhjetë vite në pushtet, Edi Rama nuk bëri asgjë për të ndryshuar gjendjen e rëndë në arsimin shqiptar, përkundrazi Dita Botërore e Mësuesit i gjeti sot pedagogët dhe profesorët në protestë për dinjitetin e tyre, trajtim financiar të paktën sa Kosova dhe kushte më të denja mësimdhënie.

Në vend të dëgjojë zërin e arsimtarëve, Qeveria thellon arrogancën deri në mbylljen e shkollave dhe kopshteve, si dhe refuzon të plotësojë kërkesat e tyre plotësisht të drejta dhe të realizueshme. Shqipëria ka buxhetin më të ulët në rajon për arsimin sepse prioriteti i Rilindjes janë inceneratorët, koncensionet, PPP-të, rrugët e florinjta dhe tenderat sekretë.

Arsim cilësor pa buxhetim nuk mund të ketë! Vetëm arsimi, si prioritet kombëtar, sjell zhvillim të qëndrueshëm, frenon shpopullimin dhe garanton të ardhmen e sigurt europiane! Rritja e menjëhershme e pagave për pedagogët dhe profesorët duhet të jetë hapi i parë!”, shkruan Meta.

Pedagogët të keqpaguar në Shqipëri, 5-9 mijë euro paga mesatare në vendet e BE-së


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *