Presidenti Joe Biden, nënpresidentja Kamala Harris dhe zyrtarët më të lartë ushtarakë kanë nderuar personat që janë flijuar në luftëra në shërbim të vendit me një ceremoni në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit në Ditën Përkujtimore të SHBA-ve.
“Duhet të kujtojmë çmimin që u pagua për liritë që gëzojmë. Duhet të kujtojmë detyrimin që kemi ndaj atyre që e paguan këtë çmim, si dhe ndaj familjeve që kanë lënë pas. Zemrat tona thyhen nga dhimbja”, tha Presidenti Biden.
Komentet e presidentit përkojnë me gjashtë vjetorin e vdekjes së djalit të tij, Beau, i cili ishte major në Gardën Kombëtare të shtetit Delauer, si dhe pati kryer shërbim aktiv ushtarak dhe ishte i dislokuar për një periudhë edhe në Irak, para se të vdiste nga kanceri në 2015.
“E di sa peshon dhimbja e humbjes. E di zgavrën e zezë që lë në mes të kraharorit. Të duket sikur të tërheq brenda e nuk mund të dalësh më, por përveç dhimbjes, kam të qartë edhe krenarinë që ndjeni për njerëzit e dashur që i humbët kur po i shërbenin vendit; krenari për trimërinë që treguan në shërbim të këtij eksperimenti të madh amerikan,” tha ai.
Shtetet e Bashkuara shënojnë Ditën e të Rënëve të hënën e fundit të majit, për të nderuar të rënët që nga Lufta Civile që përfundoi në 1868.
Kjo ditë e shënuar kombëtare shoqërohet me vendosjen e flamujve në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit si dhe në varrezat e të rënëve në mbarë vendin.
Kjo ditë shënon edhe fillimin e aktiviteteve verore, kur shumë pika pushimi hapin aktivitetin. Trafiku rrugor dhe ajror intensifikohet ndjeshëm në fund të majit.
Mbi 1.8 milionë vetë kaluan nëpër aeroportet amerikane të enjten dhe të premten, sipas Administratës për Sigurinë e Transportit. Kompania e shërbimeve për udhëtimet AAA parashikon një rritje prej 60% të udhëtimeve nga maji 2020 kur ishin në zbatim masa të forta izoluese dhe nuk kishte filluar ende vaksinimi.
/Marrë nga:VOA/ Përshtati: Priza.al/