Kryeministri Edi Rama teksa ndodhet në një vizitë dy ditore në Turqi, zbulon se ka kryer disa bashkëbisedime me sipërmarrje të ekselencës turke për disa projekte në vend.
Ndër projektet janë ndërtimi i fabrikës së vaksinave, Teknopark Albania, sistemi i kontrollit të territorit me dronë superinteligjentë sie dhe në tërësi programi i mandatit të tretë për infrastrukturën kombëtare.
Postimi i plotë
Ankara – Ditë bashkëbisedimesh të detajuara me sipërmarrje të ekselencës turke për:
* Ndërtimin e fabrikës së 7 llojeve të vaksinave, si zemra e një qendre të klasit të parë të prodhimit farmaceutik
* Teknopark Albania, një qendër e teknologjisë së lartë në periferi të kryeqytetit, për kompanitë HighTech, Start Up-et e kërkimin shkencor, sipas modelit të suksesshëm të jetësuar në Turqi, si katalizator i transformimit ekonomik e social dhe krijimit të vendeve cilësore të punës për të rinjtë
* Sistemin e kontrollit të territorit të vendit me dronë superinteligjentë, për prodhimin e të dhënave në kohë reale mbi rrugët, bregdetin, tokën bujqësore, pyjet, rendin publik natyrisht e të tjera akoma
* Programin e Mandatit të Tretë për infrastrukturën kombëtare
Rikujtojmë se kryeministri Edi Rama, prej ditës së djeshme po zhvillon një vizitë dy-ditore në Ankara. Ai është i shoqëruar nga ministrat Blendi Klosi, Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu, Arben Ahmetaj, Evis Kushi, Elva Margariti dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Ditën e djeshme, kreu i qeverisë ka zhvilluar një takim me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan me dyer të mbyllura.
/Priza.al/