‘Një ditë historike në marrëdheniet miqësore midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Vizita e Presidentit George W.Bush në Shqipëri. sb’, shkruan ish-kryeministri Sali Berisha.
Presidenti George W. Bush është bërë presidenti i parë në detyrë i Shteteve të Bashkuara që viziton Shqipërinë.
Më 10 qershor të vitit 2007 ai dhe bashkëshortja e tij, Laura, u pritën në aeroportin e Rinasit nga ministri i Jashtëm shqiptar në atë kohë, Lulzim Basha.
Më pas presidenti Bush u takua në Pallatin e Brigadave me presidentin e Shqipërisë, Aleksandër Moisiu. Presidenti shqiptar Moisiu i dha presidentit Bush dekoratën më të lartë “Urdhrin e Flamurit”, për kontributin e tij në mbështetje të çështjes shqiptare.
Presidenti amerikan në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e atëhershëm, Sali Berisha, vlerësoi nivelin e lartë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe SHBA-së.
Bush tha se SHBA-ja përkrah dëshirën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO. Ai vlerësoi lart tolerancën fetare në Shqipëri.
Bush takoi në Fushë-Krujë një grup biznesmenësh shqiptarë që kishin marrë mbështetje financiare nga agjenci amerikane zhvillimi. Pas takimit, Bush doli, jashtë protokollit, në rrugën kryesore të Fushë-Krujës dhe takoi shumë qytetarë entuziastë.
/Priza.al/