Arjola Demiri, aktorja e njohur e humorit ka festuar këto ditë 37-vjetorin e lindjes.
Në ditën e saj më të veçantë, kanë vërshuar urimet nga fansat, kolegët, miqtë dhe familjarët, të cilët kanë qenë me qindra të tilla.
Po ashtu, së fundmi aktorja ka zbuluar se ka organizuar një festë të madhe për ditëlindjen e saj. Pranë vetes, ajo kishte zgjedhur njerëzit e saj më të dashur, ku nuk mungonin as kolegët e “Portokallisë” dhe jo vetëm.
Kujtojmë se aktorja është nënë e dy fëmijëve, Rubinit dhe Alesias.
Më herët ajo ndau në “E ardhmja është vajzë” një histori mjaft prekëse. Arjola u rrëfye për momentin që u divorcua dhe vështirësitë që ndeshi për marrjen e kujdestarisë së vajzës ë saj të madhe, Helgës.
Aktorja tregoi se gjykata i kishte dhënë asaj kujdestarinë e dy fëmijëve të saj, Rubinit dhe Alesias, ndërsa kujdestarinë e vajzës së madhe ia kishte dhënë të atit.
Ajo tregoi për situatën që e konsideron si më të vështirën në jetë, ku vendosi që ta ‘rrëmbejë’ vajzën dhe ta marrë pranë vetes.
“Kur nisa karrierën time në Kosovë, duke qenë se pashë se kisha rënduar për disa vite familjen time, vendos që fëmijët t’i lë tek i ati. I lashë për një periudhë rreth 18 muaj, derisa ata kërkojnë që unë të kthehem se donin praninë time afër tyre. Kur kthehem, pranë meje vijnë vetëm Alesia dhe Rubini. Helga refuzonte të vinte.
Duke qenë se isha në një proces gjyqësor, çka kjo duhet të bëhet shembull për të gjitha nënat që divorcohen dhe gjenden në pikën zero, ndonjëherë ndarja e fëmijëve është e padrejtë. Ka qenë një vit i gjatë, i dhimbshëm, sepse nuk gjeja dot forcë që të shkoja dhe të përballesha me fëmijën tim. E kam kërkuar dy herë te shkolla dhe më refuzoi dhe kishte ardhur momenti që Gjykata do vendoste që Alesia dhe Rubini do qëndronin me mua, ndërsa Helga do rrinte me të atin dhe familjen e tij. Arriti një moment kur nuk po duroja dot më. Për muaj e muaj kisha dëshiruar ta shihja në ëndërr dhe nuk më dilte dhe pikërisht atëherë kur unë po përjetoja suksesin tim më të madh në karrierë, Helga mungonte.
Duke ndierë një dhimbje të madhe, për mungesën e Helgës në jetën time, duke menduar që ndoshta ajo kishte të drejtë për këtë periudhë që unë e kisha lënë vetëm që të ngrihesha dhe fuqizohesha për hirin e tyre, kisha një muaj të vështirë se më dilte natë për natë në ëndërr dhe po mendoja që diçka ka. Kam bërë një veprim që ndoshta të gjitha nënat mund ta bëjnë. Kam shkuar dhe kam ‘rrëmbyer’ fëmijën tim… e kam pritur, jam zgjuar një mëngjes pa frymë.
Mendoja se ajo ishte në një sallë reanimacioni dhe ajo nuk po merrte dhe as po jepte dhe ishte kjo ëndrra që ndoshta më shkundi dhe më dha forcën e duhur për të shkuar e për ta pritur që të kthehej nga shkolla. Është vendimi më i mirë që kam bërë për ta marrë atë pranë vetes”, u shpreh ajo.
/Priza.al/