Ditëlindja e Bashkim Hoxhës/ Sot “Mjeshtri i Madh”, që me zërin e ëmbël dhe të qetë zgjon miliona shqiptarë kudo në botë, feston 69-vjetorin e lindjes

Shkruar nga Engjëll Musai, Drejtor i gazetës “Telegraf”

Sot është 2 shkurti! Dita e lindjes së “Mjeshtrit të Madh” Bashkim Hoxha, mikut të të gjithë shqiptarëve kudo në botë. Sa herë që kjo datë bën rrotullimin e vet kalendarik, mua personalisht, miqve të Bashkimit, artistëve, kineastëve, artdashësve, lexuesve dhe të gjithë dëgjuesve të emisionit “Koha për t’u zgjuar” që këtë vit mbush 26 vjet, na buron nga shpirti një urim i madh dhe i kristaltë: Gëzuar 69-vjetorin, ditën e lindjes miku ynë i shenjtë dhe ikona e kulturës kombëtare Bashkim Hoxha! Lumturi për Ju dhe familjen tuaj mik i rrallë, gëzime paçi ngaherë dhe, mbi të gjitha, shëndet dhe mendje të kthjellët në misionin tuaj të veçantë dhe unik në fushën e artit, letërsisë dhe kulturës. E nisja urimin për të parin ideator dhe drejtues të emisionit “Koha për t’u zgjuar”.

Në datën 13 mars 1997, Bashkim Hoxha, së bashku me ‘ustain’ e kameras dhe fotografisë Gëzim Domi, me një antenë të sajuar me ndihmën e miqve dhe dashamirësve, nisën sinjalin e parë të transmetimit nën logon “TV-Teuta” dhe në 21 mars 1997, është fiksuar edhe data e “lindjes” së emisionit “Koha për t’u zgjuar”. Emisioni i Bashkim Hoxhës është shtrirë në çdo shtëpi, në çdo aparat televiziv, si në qytet ashtu edhe në fshat. Si brenda vendit, ashtu edhe në çdo cep të rruzullit tokësor ku banojnë dhe jetojnë shqiptarët. Ndaj dhe Bashkim Hoxha feston dy ditëlindje, atë të 2 shkurtit dhe të 21 marsit, të cilat janë në simbiozë të plotë me njëra tjetrën duke i dhënë kuptimin jetësor dhe profesional./TELEGRAF


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *