Djali i Aqif Rakipit “mbijetoi” në PS, Basha: Rama është mburoja e “non gratave”

Pas mbledhjes së ditës së sotme të Partisë Socialiste u priste një shkarkim i deputetit Ornaldo Rakipi, djalin e ish-deputetit Aqif Rakipi i cili pak ditë më parë u shpall “non grata” në SHBA, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Madje sipas raportimeve kjo çështje as nuk u diskutua, pasi fokusi kryesor ishte te presidenti.

Për këtë situatë ka reaguar ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili shkruan se Edi Rama është “mburojë” e non gratave.

Postimi i plotë:

Edi Rama është mburoja e non gratave sepse pa ta ai nuk qëndron dot në pushtet. Pa ta nuk bën dot afera si ato të inceneratorëve, pa ta nuk ndan dot administratën si plaçkë, pa ta nuk e shpërndan dot buxhetin e shtetit sipas orekseve të të babëziturve që përdor për të shkatërruar zgjedhjet.

Këto fakte të njohura nga çdo shqiptar pasqyrohen edhe në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe motivet e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara.

Pyetja që shtrohet sot është: për kë bleu vota Aqif Rakipi dhe krimi i organizuar në 25 prill?

Edi Rama e di përgjigjen e kësaj pyetje, prandaj po mbron ortakët e tij në këtë krim zgjedhor, pa të cilët nuk do të ishte në pushtet.

Sot, për qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë, është më e qartë se kurrë se kush do një Shqipëri të pastër nga korrupsioni dhe politikanët e lidhur me krimin, dhe kush do që asgjë të mos ndryshojë në këtë vend dhe që ata që e kanë shpopulluar dhe varfëruar Shqipërinë, të pasurohen edhe më shumë në kurriz të shumicës së ndershme të shqiptarëve./Priza.al

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *