Ovidio Guzman, djali i bosit të drogës “El Chapo”, është arrestuar ditën e djeshme. Pas arrestimit të tij në rrugët e Meksikës ka plasur kaos dhe dhuna. Pjesëtaret e një prej karteleve më të mëdha të drogës sulmuan policinë me armë dhe eksplozivë.
Zyrtarët deklaruan se nga këto përleshje kanë humbur jetën 29 persona. Ndërkohë që mësohet se të paktën 1000 trupa janë dislokuar në terren për rikthimin e qetësisë.
Banda të armatosura dhe të zemëruara për arrestimin, vendosën bllokada në rrugë, dogjën automjete dhe sulmuan një aeroport lokal në tentativë për të penguar transferimin e djalit të “El Chapo”-s.
Dy avionë u goditën nga të shtënat, njëri prej të cilëve në momentin kur po nisej për fluturim. Shkollat janë mbyllur, ndërsa autoritetet u bënë apel qytetarëve të mos dalin nga shtëpitë. Një linjë ajrore meksikane tha se një aeroplan i saj u godit nga plumbat përpara se të ngrihej.
Zyrtarët e Departamentit Amerikan të Shtetit u bënë thirrje shtetasve amerikanë në këtë vend të bëjnë kujdes maksimal, ndërsa qytetarëve të tjerë të shmangin udhëtimet drejt Sinaloas.
Guzmán akuzohet se ka udhëhequr një nga fraksionet e kartelit famëkeq të Sinaloas pas arrestimit të babait të tij. Operacioni është mbështetur edhe nga forca amerikane dhe i riu është transferuar në një kryeqytetin Meksiko.
Meksika pranoi se në operacionin 6-mujor për kapjen e tij janë përfshirë dhe zyrtarë amerikanë. Drejtësia amerikane kishte vendosur dhe një shpërblim deri në 5 milionë dollarë për informacione lidhur me kapjen e tij.
“Miu” ishte arrestuar dhe në 2019, por u lirua për të shmangur një guerile urbane nga mbështetësit e tij. Babai i tij Joaquín Guzmán, po vuan një dënim të përjetshëm në Shtetet e Bashkuara pasi u shpall fajtor në vitin 2019 për trafik droge dhe pastrim parash.