Një ditë pasi u ekstradua nga Turqia në Tiranë, Dritan Rexhepi, një prej shqiptarëve më të kërkuar të krimit në botë sot doli para gjykatës për masën e sigurisë.
Ai d të përballet me akuzat për një prej ngjarjeve më të mistershme të viteve të fundit, urdhrin për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës më 17 janar 2020 në Kamzë, pasi dyshonte se në vitin 2019, vëllai i Jan Prengës, Astrit Prenga, kishte vjedhur në Angli, një kontenier me kokainë në pronësi të tij dhe bashkëpunëtorëve.
Karrierën kriminale e nisi shumë më herët, në 1998-ën, me vrasjen e 2 policëve në Fushë Krujë, vetëm 19 vjeç. Në 2006-ën, u arrestua në Tiranë me një armë pa leje, ndërsa u arratis nga dhoma e marrjes në pyetje në Durrës, ku ishte dërguar.
Dy vite më vonë u arrestua në Holandë dhe u ekstradua në Itali, i dënuar për trafik droge. Në 2011-ën u arratis nga burgu i Pavias në Itali me dy shqiptarë të tjerë. Po atë vit u arrestua në Spanjë dhe u ekstradua në Belgjikë, po për trafik droge, ku u arratis. Në vijim vodhi një bankë në Barcelonë, jetoi në Rotedam dhe më pas ngriti rrjetin e trafikut të kokainës përtej Atlantikut.
I konsideruar si “mbreti i kokainës”, Dritan Rexhepi u arrestua më 10 nëntor 2023 në Turqi me dokumente false kolumbiane me emrin Benjamin Omar Perez Garcia, në një vilë luksoze, brenda së cilës u gjetën para dhe bizhuteri.