Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se vendi i tij dënon “djegien kriminale të automjeteve në veri të Kosovës”.
“Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi që t’i mbrojë qytetarët e saj dhe të sigurojë llogaridhënie për këto akte kriminale”, ka shkruar ai në Twitter.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rode, shkroi se pse Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk i dënoi incidentet në komunat në veri.
“Është shumë shqetësuese që Lista Serbe nuk e dënoi përsëri djegien e automjeteve të qytetarëve. Të gjithë duhet të jenë të bashkuar në dënimin e kësaj praktike”, shkroi ai në Twitter.
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç, më pas deklaroi se këto pohime të ambasadorit gjerman janë të pasakta, ngase si tha ai, së bashku me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç, e kanë dënuar djegien e automjeteve në veri.
Më herët, më 2 prill, në një konferencë për media, Simiç tha se djegia e automjeteve me targa të Kosovës është “e papranueshme”.
Mbrëmjen e së shtunës janë djegur tri automjeteve në Leposaviç, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Dy prej automjeteve ishin me targa RKS, ndërsa njëra me targa të Beogradit.
Më 1 prill, Policia e Kosovës njoftoi se e kishte arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se, ndër të tjera, ka marrë pjesë në djegien e një automjeti.
Pas këtij arrestimi, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi zyrtar, e cilësoi arrestimin në Mitrovicë të Veriut si “vazhdim të keqtrajtimit të popullit serb” dhe paralajmëroi se nëse i arrestuari nuk lirohet, do të shkaktohet “reagimi nga serbët”.
Djegia e automjeteve ka filluar vitin e kaluar, kur nisi procesi i ri-regjistrimit të veturave me targa KM në targa RKS. Targat KM lëshohen nga autoritetet e Serbisë dhe Kosova i konsideron ilegale.
Ky proces shkaktoi tensione në terren. Fillimisht, më 31 korrik u ngritën barrikada për këtë çështje, e më pas në nëntor serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri shkaku i suspendimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili refuzoi ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrim në targa RKS.
Ndërkohë, Kosova dhe Serbia, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, në fund të nëntorit të vitit të kaluar arritën një marrëveshje për targat, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Kosova pranoi të pezullojë procesin e ri-regjistrimit ndërsa Serbia u pajtua të mos lëshojë targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.
Vlerësohet se në veri të Kosovës janë rreth 10.000 automjete të regjistruara me targa KM. /REL