Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë Has në zgjedhjet e 14 majit, Beqir Mulaj hodhi poshtë pretendimet se djegia e makinës dhe materialeve brenda magazinës të ketë lidhje me fushatën elektorale.
Mulaj u shpreh se nuk ka konflikte me askënd dhe nuk beson që zjarri të ketë ardhur nga dora e njeriut. Ai theksoi se pret përgjigjen e organeve kompetente për të mësuar çfarë ka ndodhur.
“Në orët e para të mëngjesit jemi njoftuar përmes telefonit se po digjej magazina. Kemi ardhur këtu, kemi gjetur zjarrfikësen që ka bërë të mundur shuarjen e flakëve. Makina dhe të gjitha materialet që ndodheshin në magazinë janë djegur komplet.
Ky zjarr përkon me fushatën elektorale. Unë në cilësinë e kandidatit për kryetar bashkie s’kam koment se s’dua ta besoj, ta dyshoj apo keqpërdor, por të jem shumë i sinqertë se policia ka ardhur. Është bërë praktika e duhur dhe do pres me qetësi ekespertizën. Uroj që të mos ketë dorë njeriu. Dua të jem shumë korrekt, s’dua ta përdor dhe as mendja s’më shkon atje.
Gjithsesi i besoj organeve kompetente. Nuk kam asnjë konflikt. Edhe fushatën jam munduar ta bëj në mënyrë të qetë, qytetare, larg ngatërresave e zhurmës. Jam fokusuar te hallet e problemet e qytetarëve të Hasit se ky popull këtu ka nevojë për qetësi, për rregull. Unë nuk bëj pjesë te ata njerëz që vë gishtin. Po të mos ishte fushatë elektorale, as ju s’do ishit këtu dhe s’dua ta keqpërdor këtë. Nuk kam dyshime. Nëse ekspertiza do e nxirrte që është dora e njeriut, do më vinte keq”, tha Beqir Mulaj.