Djegia e makinave në Veri, reagon BE: I mjerueshëm qëllimi i frikësimit të popullatës lokale atje

 

Shefi i Bashkimit Evropia (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog ka dënuar aktin e djegies së veturave të nacionalitetit serb në veri të vendit.

Szunyog përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka shkruar se kjo vepër që ka ndodhur gjatë dy ditëve të fundit, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale është i mjerueshëm, i papranueshëm dhe duhet dënuar.

“Dënojmë ashpër djegien e automjeteve të ri-regjistruara së fundmi në targa të Kosovës në veri të Kosovës. Shkatërrimi i pronës private, që ka ndodhur gjatë 2 ditëve të fundit, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale është i mjerueshëm, i papranueshëm dhe duhet dënuar nga të gjithë aktorët përkatës”, ka shkruar ai.

Tutje ai ju ka bërë thirrje organeve të zbatimit të ligjit që të identifikojnë dhe ndjekin me shpejtësi përgjegjësit e këtyrë veprave.

Për djegien e veturave të serbëve në veri kanë reaguar edhe nga kabineti i presidentes Osmani kanë reaguar duke thënë se strukturat ilegale të Serbisë vazhdojnë fushatën e orkestruar të frikësimit kundër serbëve vendas në veri të Kosovës.

Blerim, Vela shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani ka thënë se Serbia po përpiqet të krijojë një klimë frike në prag të zgjedhjeve të 23 prillit.

Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, incidentet e fundit në veri ka thënë se janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri.

Ai ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të fillojnë urgjentisht me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit.

“Incidentet e 2-3 ditëve të fundit në veri, janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri, me pasoja edhe për sigurinë në atë zonë. Refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale atje, shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel. Serbia dhe Kosova duhet që urgjentisht të fillojnë me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit. Presidenti i Serbisë të heqë dorë nga destruktiviteti dhe t’i urdhërojë njerëzit e tij që të heqin dorë nga sulmet e dhunshme”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *