Djegia e makinës së biznesmenit në Lezhë, reagon policia: Ja çfarë e shkaktoi zjarrin

Policia ka zbardhur ngjarjen e orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme, ku është djegur makina e biznesmenit Ndue Pjetrushi (Noshi) i cili ushtron aktivitet në fushën e hidrokarbureve.

Uniformat blu raportojnë se automjeti i tij ndodhej i parkuar në oborrin e banesës tre katëshe në Lezhë kur u përfshi nga flakët.

Pas hetimeve, policia bën me dije se shkak është bërë një defekt në mjet.

Njoftimi i policisë:

Zbardhet shkaku i djegies së automjetit të shtetasit N. P.

Rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm, është marrë njoftim se në Ishull Shëngjin po digjej automjeti tip “Benz”, në pronësi të shtetasit N. P., 56 vjeç, të cilin ky shtetas e kishte parkuar në rrugë, në afërsi të banesës.

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Lezhë, i cili nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe në bashkëpunim me ekspertë të MZSH Lezhë, ka kryer veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve hetimore të shpejta dhe profesionale, bazuar dhe në ekspertimin piroteknik të kryer, ka rezultuar se djegia e automjetit nuk është shkaktuar nga faktorë të jashtëm, por nga probleme teknike të automjetit.

Për këtë arsye ngjarja është klasifikuar aksidentale. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për vlerësim.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *