Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka nisur ditën duke publikuar disa imazhe nga ajo që e konsideron si katastrofa mjedisore në Fier, të shkaktuar nga djegia e mbeturinave në këtë qytet.
Basha ka publikuar në rrjetet sociale disa foto nga Fieri, i mbuluar i gjithi nga tymi që lë pas zjarri që digjet disa kilometra larg qytetit. Kryedemokrati në postimin e tij u bën thirrje qytetarëve që të ngrejnë zërin dhe të kërkojnë të llogari për menaxhimin e taksave të tyre.
Qyteti i Fierit, rrethinat dhe bashkitë e tjera kufitare janë mbuluar nga tymi prej zjarrit që ra në fushën e mbetjeve që ndodhet në fshatin Sheq të Madh. Zjarri filloi paraditen e së martës, ndërsa tymi mbuloi qytetin e Fierit dhe bashkitë fqinje.
Deklarata e plotë e Bashës
Shikojini këto imazhe të tmerrshme. Dita e katërt e katastrofës mjedisore në Fier. E njëjta skemë kriminale si në Durrës e Kavajë. Digjen plehrat, helmohen familjet,vetëm që të justifikojnë më pas pagesa të majme inceneratorëve me aksionerë mafian dhe qeveritarët e korruptuar. Viktimat janë njerëzit që helmohen dhe vidhen. Hesht drejtësia, edhe pse ka muaj që PD ka depozituar në SPAK faktet: mbi 400 milionë euro të taksave të shqiptarëve që qeveria ja ka dhuruar inceneratorëve. Censurohet media: heshtje e blerë nga mafia e inceneratorëve. Kështu e do regjimi Shqipërinë: pa të drejta, pa liri, pa të vërteta. Prandaj shkel ligjet, pasurohet duke vrarë shëndetin dhe ekonominë, grabit buxhetin e shqiptarëve, shantazhon dhe blen drejtësinë dhe median. Askush nuk mund të pretendojë se nuk e sheh dhe nuk e kupton. Demokracia vdes në heshtje. Koha për të ngritur zërin! Për veten tuaj, për fëmijët dhe shëndetin e familjeve tuaja. Për taksat tuaja të vjedhura dhe të drejtat tuaja të dhunuara!
/Priza.al/