Qindra metra nën oqean shtrihet një rrjet global kabllosh interneti që supozohet të jetë “përgjegjës” për mbajtjen e 97 për qind të komunikimeve ndërkombëtare.
Në një epokë dixhitale, këto kabllo fizike, të veshura me çelik dhe plastikë, janë thelbësore për funksionimin e komunikimit.
Nëse do të çaktivizoheshin, kjo nuk do të na pengonte thjesht të hynim në internet por do të prishte gjithçka, nga bujqësia dhe kujdesi shëndetësor, tek logjistika ushtarake dhe transaksionet financiare, duke e zhytur botën menjëherë në një depresion të ri.
Prandaj, sipas ekspertëve, ky skenar renditet krahas luftës bërthamore si një kërcënim ekzistencial për mënyrën tonë të jetesës.
Shefi i sapoemëruar i shtabit të mbrojtjes britanike, Admirali Sir Tony Radakin, mendon se Rusia është fuqia armiqësore që ka më shumë gjasa për të gjymtuar këto arterie jetike.
Në një intervistë, ai tha se kishte pasur “një rritje fenomenale” në aktivitetin e nëndetëseve ruse gjatë 20 viteve të fundit, duke shtuar: “Rusia ka rritur aftësinë për të vënë në rrezik ato kabllo nënujore dhe potencialisht për t’i shfrytëzuar ato”.
Sidoqoftë, çdo ndërhyrje e tillë do të trajtohej me seriozitetin më të madh.
I pyetur nëse shkatërrimi i kabllove mund të konsiderohet një akt lufte, oficeri më i lartë ushtarak i Britanisë tha: “Potencialisht, po”.
Por lajmi i mirë është se prodhuesit e kabllove nuk i bëjnë gjërat të lehta për sabotuesit e mundshëm.
Kabllot, kryesisht në pronësi dhe të instaluara nga kompani private, janë projektuar për t’i bërë ballë ashpërsisë natyrore nën det dhe nuk mund të priten lehtë.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: Priza.al/