Gledis Nano, do të jetë nga sot Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ai ka marrë detyrën sot nga Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi në një ceremoni zyrtare duke bërë dhe betimin për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit.
Nano tha se profesioni i tij nuk ishte një zgjedhje karriere, por pasion i frymëzuar nga babai ish-oficer i policisë. Nano dha edhe një mesazh për qytetarët që ta konsiderojnë policinë si partner.
“I nderuar Kryeministër, në këtë çast solemn në shenjë nderimi detyrimi dhe respekti për gjakun e punonjësve të policisë, ne emër të të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, në nderin tim personal, betohem për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit! Betohem!
Besimi i kësaj detyre përveç privilegjit më ngarkon me përgjegjësi për të qenë ne lartësinë e detyrës. Profesioni im nuk ishte një zgjedhje karriere, por pasion i frymëzuar nga babai im, ish oficer policie.
Në këto dy dekada në radhët e policisë nga pozicioni më i ulët në detyrat më të larta kam kuptuar që ky institucion është pjesë krysore e jetës sime që kërkon angazhim e përkushtim të lartë në cdo detyrë.
Sfidat për policinë janë të shumëfishta. Puna e rezultatet pozitive të arritura nga paraardhëësi im kanë nevojë të çohen përpara. Qytetarët presin nga policia e shtetit standarte të tjera, reagime e sjellje në zgjidhjen e problemeve të tyre. Ne do bëjmë maksimumin për t’i arritur.
Kërkoj prej tyre ta konsiderojnë organizatën tonë si një partner. Roli i tyre është i pazëvendësushem në suksesin e punës sonë. Do jem inkurajues që bashkëpunimi qytetar polici sa të vijë edhe të intensifikohet. Prioritet i imi do jetë intensifikimi i bashkëpunimit me të gjithë agjencitë ligj zbatuese në vend, partneret ndërkombëtar dhe misionet që asistojnë policinë shqiptare.
Ne synojmë një polici më të trajnuar, me kapacitete të shtuar në fushën e dixhitalizimit, mirë menaxhim i cdo burimi njerëzor bazuar në meritokraci, që janë parakushtet për një hap cilësor që do e rendiste shpejt policinë shqiptare krah policive evropiane,” deklaroi Nano.
/Priza.al/