Rasti i Klosit, ku dy persona u vranë dhe një tjetër u vetëvra pas një konflikti të nisur në rrjetet sociale me një adoleshente, nuk është krimi i vetëm që ka ndodhur nga kërcënimet në internet.
Ngacmimet dhe shantazhet e vazhdueshme, në Instagram që dy të rinjtë Kenado Shira, 17-vjeç, dhe Renato Hasula, po 17-vjeç, (djem tezesh) kanë bërë kundrejt vajzës së Fiqiri Mjeshtrit, shkaktuan tragjedinë mesditën e 12 tetorit në Klos, me tre viktima dhe dy të plagosur. Në dëshminë e saj para hetuesve, vajza e autorit është shprehur se ajo shantazhohej nga dy kushërinjtë në Instagram dhe se kishte disa ditë që nuk shkonte në shkollë.
Ekspertë të policisë kanë ngritur alarmin për prindërit referuar denoncimeve të kryera mbi shantazh, gjobëvënie dhe përndjekje përmes rrjeteve sociale Facebook, Instagram, Snapchat. Një oficer i policisë për mediat tregoi për historinë e një marrëdhënie seksuale e cila kaloi në shantazhe mes një gruaje të martuar me kolegun e zyrës.
“Shembulli më ekstrem, është ai i një gruaje të martuar që u lidh me kolegun e zyrës dhe përmbi dy vjet u shantazhua për një fotografi, ku të dy janë në krevat. Ajo u detyrua të kallëzojë së pari tek i shoqi për lidhjen dhe më pas të dy erdhën në polici“, tha oficeri.
Kolegu i zyrë kishte një alibi, që pavarësisht këmbënguljes nuk e shpëtoi nga burgu. “Jam beqar dhe Z., nuk ishte dakord që të ndaheshim. Gjithçka është një hakmarrje e ulët”, këmbënguli i riu, që pavarësisht kësaj alibie, aktualisht mbahet në paraburgim për akuzën e përndjekjes dhe të kanosjes. Policia e shtetit here pas here ka paralajmëruar qytetarët të bëjnë kujdes me përdorimin e rrjeteve sociale pasi kohët e fundit janë rritur rastet e denoncimeve për shantazhe nga profile false. Autorët krijojnë adresa false dhe pasi marrin të dhënat personale, ata kërkojnë në favor shuma parash ose të dhënat sensitive do i bëjnë publike tek të afërmit./Vox