Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, tha se vendi i tij do të bëjë një porosi të dytë të sistemit mbrojtës rus S-400, edhe pse vendimi për të marrë pajisje ushtarake nga Rusia rrezikon të acarojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, që kanë kërcënuar me sanksione.
Uashingtoni thotë se ky sistem rus përbën kërcënim për avionët amerikanë F-35, si edhe për sistemin mbrojtës të NATO-s, pjesë e të cilës është edhe Turqia. Por Ankaraja pretendon se po e bën këtë porosi për shkak se nuk ka arritur të gjejë një marrëveshje të kënaqshme me ndonjë vend të NATO-s.
“Në të ardhmen, askush nuk do të jetë në gjendje të ndërhyjë për të caktuar çfarë sistemi mbrojtës do të marrim dhe nga cili shtet”, tha Erdogan në një intervistë për televizionin amerikan CBS të dielën. “Askush nuk mund të ndërhyjë te kjo. Vetëm ne mund të marrim vendime të tilla”.
Dhjetorin e kaluar, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione kundër Drejtorisë së Industrisë Turke të Mbrojtjes, shefit të saj Ismail Demir dhe tre nëpunësve të tjerë pas vendimit për të blerë sistemin rus të mbrojtjes S-400. Bisedimet mes Turqisë dhe Rusisë për porosinë e dytë vijojnë, ndërsa amerikanët sërish kanë paralajmëruar për sanksione.
Erdogan do të vizitojë Rusinë javën e ardhshme, për t’u takuar me Vladimir Putin me të cilin do të diskutohet edhe dhuna në veriperëndim të Sirisë.
/Priza.al/