Paralajmërimet e Washington-it nuk e kanë frenuar Turqinë, e cila do të vazhdojë me blerjet ushtarake ruse. Blerja e një sistemi raketash ruse ka nxitur konfliktet mes Ankarasë dhe aleatëve të saj në NATO. Ëashingtoni është përpjekur të ushtrojë trysni mbi Turqinë për të hequr dorë nga marrja e sistemeve ruse të mbrojtjes nga raketa S 400. Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar i hodhi poshtë shqetësimet amerikane dhe tha që ky nuk është një sistem për sulme dhe nuk mund të kërcënojë askënd.
Nga ana tjetër, Washingtoni këmbëngul se sistemi i avancuar i raketave S 400 përbën kërcënim për sistemet e mbrojtjes së NATO-s. Por, Ankaraja nuk bindet. Një burim i afërt me qeverinë thotë se Turqia tashmë ka arritur një marrëveshje me Moskën.
Muajin e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken paralajmëroi Turqinë se mund të përballet me sanksione nëse blen armë të tjera ruse, përfshirë sisteme shtesë të raketave S 400. Për shkak të shqetësimeve mbi raketat S 400, Ëashingtoni kishte bllokuar Turqinë nga modernizimi i avionëve të saj të vjetër luftarakë me ato F-35 të Amerikës. Por, këshilltari i presidentit turk Mesut Casin paralajmëroi se Washingtoni po e detyron Turqinë që të thellojë edhe më tej lidhjet e saj ushtarake me Rusinë.