Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky në konferencën e djeshme në Angli me kryeministrin britanik Rishi Sunak ka marrë një përqafim nga gazetarja e BBC-së.
Gjatë një konference për shtyp në Dorset, një gazetare ukrainase e BBC-së u ngrit në këmbë dhe parapriu pyetjen e saj duke thënë se do të donte ta përqafonte Zelenskyn, por ndoshta nuk do të lejohej.
Përballë këtij hezitimi, Zelensky e mirëpriti si ftesë dhe shkoi i pari për t’i dhënë një përqafim të ngrohtë.
“Përshëndetje zoti President, me të vërtetë do të doja t’ju përqafoja, por nuk më lejohet,” i tha korrespondentja Zelenskyt.
“Pse jo, të lutem, më përqafo,” u përgjigj presidenti ukrainas, duke dalë nga skena për ta përqafuar, ndërsa të tjerët duartrokitën.
Volodymyr Zelensky ndodhej në Mbretërinë e Bashkuar për të kërkuar që vendi të furnizojë avionë luftarakë për përpjekjet e luftës në Ukrainë, diçka që aleatët perëndimorë kanë refuzuar deri më tani. Ai mbajti një fjalim para ligjvënësve në Westminster Hall, gjatë të cilit i dhuroi Sir Lindsay Hoyle, Kryetarit të Dhomës së Komunave, një përkrenare nga një pilot luftarak ukrainas, me mesazhin: “Ne kemi lirinë. Na jep krahë për ta mbrojtur atë.”