Qytetarët që udhëtojnë nga Tirana në drejtim të Peshkopisë dhe anasjelltas, duhet të ndjekin akset e tjera rrugore lidhëse me Tiranën dhe jo rrugën e arbrit që është reklamuar shumë sikur do të hapet në fund të këtij muaji.
Shoqëria koncensionare “Gjoka Konstruksion” ka njoftuar me anë të një njoftimi zyrtar se deri më datë 29 nëntor “Rruga e Arbrit” do të jetë e mbyllur.
Por Kryeministri Edi Rama, nga ana tjetër njoftoi disa javë më parë se rruga do të hapej dhe do të ishte e kalueshme deri në Peshkopi për qarkullimin e mjeteve më 29 nëntor.
Por mesa duket ose kryeministri Rama e ka marrë gabim prej vartësve të tij këtë informacion, ose kompani që po ndërton rrugën, nuk e realizon dot në këto data premtimin e kryeministrit.
Nga sa mësohet, punimet në disa segmente të kësaj vepre po vijojnë, por në shumë lote të tjera ato janë me probleme të mëdha, ose të pa përfunduara dhe do të duhet një kohë e gjatë deri sa ato të përfundojnë.
Por ajo që është e sigurt, është se në datën 29 nëntor njëri nga të dy, ose kryeministri Rama, ose Rrok Gjoka, do të dalin blof, ose do të mbajnë përsipër përgjegjësinë dhe turpin e një premtimi të parealizuar.
Megjithatë kur duhen edhe disa ditë për ta verifikuar këtë, vetëm një gjë është e sigurt, që “Rruga e Arbrit” nuk përfundon as këtë vit dhe as vitin që vjen, madje punimet do të vijojnë për shumë kohë.
“Rruga e Arbrit” është një ndër rrugët që pritet të bëjë realitet ëndrrën e dibranëve, për të shkurtuar kohën e lëvizjes me kryeqytetin.
/Priza.al/