Do të sigurojë zbatimin e marrëveshjes… Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë që do të mbajë ‘larg’ ushtrinë e Vuçiçit  

NATO-ja tha se mirëpret marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Në një deklaratë për media, zëdhënësja Oana Lungescu tha se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, “do të luajë një rol themelor, për të siguruar zbatimin efektiv” të marrëveshjes, njoftoi REL.

Që nga 20 shtatori, serbët në veri të Kosovës kanë bllokuar vendkalimet kufitare me Serbinë: Jarinjë dhe Bërnjak.

Kjo ka ndodhur pasi Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët e makinave me targa të Serbisë, t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme derisa vozisin në Kosovë.

Masa të ngjashme për makinat me targa të Kosovës, Serbia ka zbatuar tash e sa vite.

Për të mbikëqyrur procesin, Kosova ka dërguar në veri edhe njësitë speciale policore.

Me marrëveshjen e arritur të enjten në Bruksel, serbët do t’i heqin bllokadat, njësitë speciale të policisë do të tërhiqen nga Jarinja dhe Bërnjaku dhe atje do të vendoset KFOR-i, ndërsa në targa të të dyja palëve do të vendosen përkohësisht letra ngjitëse.

Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë u ndërmjetësua nga Bashkimi Evropian.

Kosova dhe Serbia mirëpresin KFOR-in në kufij

“NATO-ja vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është rruga e vetme drejt arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme politike për rajonin dhe është kyçe për stabilitetin e të gjithë rajonit”, tha Lungescu.

Ajo paralajmëroi se sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të presë të premten në takim të dërguarin e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

/Burimi: REL/ Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *