Gjykata e Lezhës ka caktuar ditën e sotme masën e sigurisë “arrest me burg” për 36-vjeçarin Antonio Leka. Ai u arrestua tre ditë më parë pranë një servisi në Ishull-Shëngjin, dhe mbante me vete një sasi të madhe armatimi. Leka akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Përgatitja e kushteve për vrasje”.
Në deklarimet e tij para hetuesve, 36-vjeçari u shpreh se kishte si qëllim vrasjen e disa politikanëve në Lezhë, duke i lidhur veprimet e tij me patriotizmit. Ai nuk ka treguar se ku i kishte marrë armët dhe sendet e tjera të jashtëligjshme.
Leka rezulton të jetë person me precedent të mëparshëm penal, i akuzuar për tentativë vrasje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.