Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Elbasan, Luçiano Boçi është shprehur se drejtorë të bashkisë dhe administratës qendrore po përgatisin skema për blerjen e votës. Boçi u shpreh se i kanë të gjithë me emra dhe mbiemra dhe do t’i çojnë në SPAK. Sipas Boçit, janë drejtorë të bashkisë dhe të administratës qendrore që po bëhen gati të përcaktojnë target grupin vulnerabël.
“Mbrojtja e votës është proces, që në momentin që ke filluar fushatën e mbron. Nuk do ushtri që ta mbrosh votën, dhe më pas konkretizohet me procese më të imëta. Është edhe në momentin që mazhoranca shpërndan formularin dhe u kërkon mësuesve të deklarojnë votën. Duke i bërë thirrje, duke denoncuar për krime zgjedhore, është material që s’duhet të dalë, numra kartash identiteti, janë të dhëna konfidenciale. Do t’i dërgoj në SPAK me emra dhe mbiemra, janë bërë gati të blejnë votat. Krimi zgjedhor është baza për të gjitha krimet e tjera. Le të bëhet Elbasani shembulli për dënimin e krimit politik. Është një luftë për parimet dhe vlerat e demokracisë. Duan ta rrëmbejnë votën me të gjitha format, blerja është një mënyrë, do ta çojmë në SPAK, nuk do ta lejojmë. Janë drejtorë të bashkisë dhe të administratës qendrore që po bëhen gati të përcaktojnë target grupin vulnerabël”, tha Boçi.
Boçi u ndal edhe tek rezultatet, që sipas tij opozita është 7 mijë vota më shumë se Partia Socialiste.
“7 mijë vota është distanca direkte numerike, nëse i fut edhe LSI brenda që është 2500 vota diference rrudhet në rreth 4 mijë vota. Është një diferencë më se normale në një betejë politike ku kanë ndryshuar shumë faktorë dhe ka elementë reflektues të një shoqërie që pas 16 vjet sundimi kanë një pakënaqësi. Është diferencë e rikuperueshme në një proces të zhvilluar përmes parimeve demokratike”, tha Boçi./ EuroNews Albania