Sanksionet e Perëndimit kanë detyruar disa prej markave më të njohura ndërkombëtare të mbyllin fabrikat dhe dyqanet e tyre. Udhëtimet ndërkombëtare janë pothuajse të pamundura dhe imazhi i vendit ka ndryshuar tërësisht vetëm disa javë më parë.
Pasojat demografike janë po ashtu domethënëse. Me mijëra emigrantë që vijnë kryesisht nga vendet e Azisë qendrore dhe që përbënin dikur Bashkimin Sovjetik, si Uzbekistani, Taxhikistan, Kirgizistani dhe Kazakistani, po braktisin Rusinë për mungesë pune, në një ekonomi që po lëngon prej vitesh tashmë qysh nga fillimi i pandemisë, ndërkohë që lufta po i jep goditjen finale.
Disa kategori janë më të goditura se të tjerat. Dentistët rus kanë shpallur që tashmë po fillojnë të mungojnë elementet bazë të punës së tyre, që për shkak të teknologjisë së avancuar nuk prodhohen në Rusi. Aktualisht, importohen 90% të instrumenteve në atë fushë delikate, dhe po mungojnë materialet për mbushjet dhe anestezitë, ku vetëm disa largpamës kanë marrë rezerva për 2 ose 3 muaj, sidoqoftë të pamjaftueshme duke marrë parasysh se konflikti në Ukrainë nuk premton për mirë në vijim.
Për pasojë, çmimet e ndërhyrjeve janë rritur në mënyrë drastike, duke i hequr çdo lloje mundësie shtresës së mesme. Dentistët po mendojnë t’i rikthehen teknikave gjatë Bashkimit Sovjetik. “Do t’i rikthehemi mbushjeve me beton”, thonë disa prej tyre.
Një teknologji e vjetër dhe aspak e shëndetshme për pacientët, por që mund të shmanget vetëm nëse materialet e kërkuara të importohen nga vendet e pakta mike që i mbeten Moskës.
Një dentist në Shën Petersburgun e viteve ’80, që atëherë quhej Leningrad.